
BQK-ja lanson nismën për mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, ka lansuar përmes një konference nismën për mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”.
Ky projekt do të ketë ndikim të qëndrueshëm në gjithëpërfshirjen financiare në vendin tonë, në pajtim me orientimet strategjike të BQK-së.
Gjatë kësaj ngjarje, është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit me Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për të shkëmbyer të dhënat mbi bizneset, veçanërisht ato që janë në pronësi ose bashkëpronësi të grave, si dhe janë nënshkruar solemnisht Letrat e Qëllimit nga institucionet që do të mbështesin me aktivitete konkrete këtë nismë, për një gjithpërfshirje dhe ndikim sa më domethënës në financa dhe ekonomi.
Në fjalimin hapës, guvernatori Ahmet Ismaili, ka falënderuar pjesëmarrësit duke shprehur kënaqësinë që institucionit që drejton po koordinon këtë projekt në nivel vendi, pasi që sipas tij, kjo nismë ofron një mundësi shtesë për të mbështetur qasje në financa dhe gjithëpërfshirje financiare, promovimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe forcimi i edukimit financiar për të gjithë, me theks për qasje për gratë ndërmarrëse.
Guvernatori Ismaili ka treguar se një nga rezultatet kryesore të këtij projekti është përmirësimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë, që do të ndihmojë të kuptojmë sfidat me të cilat përballen gratë kur kërkojnë qasje në financa, veçanërisht ato që drejtojnë apo menaxhojnë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM).