Bota përballë sfidave/ Ndryshimet klimatike dhe luftërat shënjuan vitin 2023

Bota përballë sfidave/ Ndryshimet klimatike dhe luftërat shënjuan vitin 2023

Rritja e temperaturave, kriza klimatike, Inteligjenca Artificiale në jetën e përditshme të njerëzve, numër i paprecedentë i të zhvendosurve dhe luftëra pa fund në Rripin e Gazës dhe Ukrainë kanë shënjuar vitin 2023.

Popullsia e botës, e cila tani i kalon tetë miliardë po përgatitet të festojë vitin e ri, me shpresën se do të sjellë një ulje të kostos së lartë të jetesës dhe përfundimin e luftërave.

Në Sidnei, i vetëshpallur “kryeqyteti botëror i Vitit të Ri”, më shumë se një milion njerëz pritet të festojnë në bregdetin e qytetit. Tetë tonë fishekzjarre do të përdoren për të festuar vitin 2024, i cili, për gjysmën e popullsisë së botës, do të jetë një vit vendimtar zgjedhor.

Do të jetë edhe viti i Lojërave Olimpike, të cilat do të mbahen këtë verë në Paris.

Në vitin 2023, bota përjetoi “Barbie Mania”, filloi të familjarizohej me mjetet e Inteligjencës Artificiale dhe në vitin që po largohet, u bë transplanti i parë i një syri të tërë.

India u bë vendi me popullsinë më të madhe, duke rrëzuar Kinën nga froni. Ky ishte gjithashtu vendi i parë që zbarkoi një anije kozmike në rajonin e paeksploruar të Polit Jugor të Hënës.

Viti që po largohet ishte gjithashtu viti në të cilin temperatura mesatare e sipërfaqes globale arriti nivele rekord, me fatkeqësitë klimatike që prekën rajone të shumta të planetit nga Pakistani në Bririn e Afrikës deri në pellgun e Amazonës.

Por mbi të gjitha, viti 2023 do të shënohet nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe hakmarrja e pamëshirshme e Izraelit. Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se afro dy milionë banorë të Rripit të Gazës rreth 85% e popullsisë janë zhvendosur që nga fillimi i luftës.

Në qytetin e shkretë të Gazës, kanë mbetur pak vende për të festuar Vitin e Ri.

“Ishte një vit i errët plot tragjedi,” tha Abed Akaoui, i cili u largua nga qyteti me gruan dhe tre fëmijët e tij.

Burri 37-vjeçar, i cili tani jeton në një kamp të OKB-së në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, humbi vëllain e tij, por thotë se shpreson për vitin 2024. Në Ukrainë, ku pushtimi rus po i afrohet përvjetorit të dytë, gjyqi dhe shpresa mbizotërojnë pavarësisht valës së re të sulmeve ruse.

Disa në Rusinë e Vladimir Putinit janë të lodhur nga lufta.

“Në vitin e ri, do të doja që lufta të përfundojë, një president i ri dhe një kthim në jetën normale”, tha Zoya Karpona, një skenografe 55-vjeçare nga Moska.

Putini, lideri rus më jetëgjatë që nga Jozef Stalin, do të kandidojë sërish për president në zgjedhjet e marsit. Pak besojnë se zgjedhjet janë plotësisht të lira dhe të ndershme dhe pak presin që presidenti rus të humbasë zgjedhjet, raporton abcnews.al.

Përveç zgjedhjeve ruse, mbi katër miliardë njerëz në botë do të votojnë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, zgjedhjet e Bashkimit Europian, Indi, Indonezi, Meksikë, Afrikën e Jugut, Venezuelë dhe natyrisht në SHBA, ku demokrati Joe Biden , 81 vjeç dhe republikani Donald Trump, 77 vjeç, pritet të përballen sërish nëntorin e ardhshëm.

Shumë nga mbështetësit e presidentit aktual të SHBA janë të shqetësuar për moshën e tij dhe pasojat e një mandati të ri presidencial.

Sa i përket Trump, i cili po përballet me akuza të shumta dhe të paktën tre nga gjyqet e tij pritet të fillojnë në vitin 2024 para zgjedhjeve presidenciale, nuk ka asgjë që e ndalon atë të bëjë fushatë.