Boston siguron “play-off”-in, Denver kap kreun në Perëndim
Boston Sëlltiks bëhet ekipi i parë në NBA këtë sezon që arrin kuotën e 50 fitoreve, duke mposhtur 121-99 Portland. Braun me 37 pikë e Tetum me 26 pikë ishin më të mirët në fushë, me miqtë nga Bostoni që nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren.
Kështu, Sëlltiks jo vetëm që mbajnë kreun e renditjes në Konferencën e Lindjes, por sigurojnë matematikisht kualifikimin për në fazën “play off”. Tashmë synimi është për ta mbyllur si kampionë në këtë kah të NBA.
Ndërsa skuadra kampione në fuqi e Denver fitoi 125-119 ndaj Torontos, në një përballje spektakolare mes dy ekipeve. Tjetër ndeshje e mirë për Nikola Jokic, që realizoi sërish një “triple double”, me 35 pikë, 17 ribaund e 12 asist. Denver barazon Oklahomën në vendin e parë në Perëndim.
Jashte fushe fiton edhe Golden Stejt, që mundi 112-102 San Antonion. Kuminga me 22 pikë e Tompson me 21 bënë diferencën në fushë. Megjithatë, Uarriors mbeten në vendin e 10-të në Perëndim, ende larg zonës “play-off”.
REZULTATET
Detroit – Charlotte 114-97
Cleveland – Phoenix 111-117
Chicago – Dallas 92-127
San Antonio – Golden State 102-112
Denver – Toronto 125-119
Portland – Boston 99-121