Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në takimin e fundit ka shqyrtuar sfidat kryesore financiare dhe ligjore me të cilat po përballen komunat.
Bordi shprehu shqetësim për tërheqjen e rreth 60 milionë eurove nga buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Gjithashtu, u diskutua barra e mundshme prej rreth 60 milionë eurove nga zbatimi i normës prej 0.5% për përvojën e punës, si dhe mungesa e financimit për rreth 3,100 mësimdhënës, me kosto të vlerësuar prej 24 milionë eurosh në vit.
Bordi kundërshtoi zvogëlimin e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë euro, të parapara me Ligjin për Ndarjet Buxhetore, në vetëm 2 milionë euro dhe kërkoi shpërndarjen e plotë të mjeteve për komunat përfituese.
Po ashtu, u diskutua moskompensimi i dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet që nga viti 2022 e tutje.
Bordi kërkoi nga Qeveria që, pa vonesa të mëtejshme, të bëjë kompensimin e dëmeve për qytetarët dhe komunat e prekura.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Pronën Publike, Bordi kundërshtoi dispozitat që parashohin kalimin e pronësisë së pronës komunale te shteti, heqjen e mundësisë së këmbimit të pronës dhe kushtëzimin e vendimeve komunale me pëlqimin e institucioneve qendrore.
U vlerësua se këto propozime cenojnë kompetencat dhe autonominë e komunave dhe bien ndesh me parimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Bordi kërkoi që AKK-ja t’i vazhdojë veprimet institucionale dhe ligjore për mbrojtjen e interesave financiare, pronësore dhe kushtetuese të komunave.

