Blinkeni në Izrael për të ardhmen e Gazës, derisa bombardimet s’po ndalen

Blinkeni në Izrael për të ardhmen e Gazës, derisa bombardimet s’po ndalen

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbajti takime në Izrael të martën, në përpjekje për ta gjetur një plan për ta ardhmen e Rripit të Gazës pas luftës, derisa, në të njëjtën kohë, ushtria izraelite e vazhdoi luftën ajrore dhe tokësore në territorin e rrethuar.

Bombardime të ashpra dhe luftime të zjarrta i tronditën kampet e refugjatëve, duke i detyruar palestinezët të vuajnë për të gjetur strehim dhe duke i vështirësuar përpjekjet e grupeve humanitare për të dërguar ndihma te popullata.

Blinkeni mbërriti në Izrael pasi tha se kishte siguruar përkushtimin e katër vendeve arabe dhe të Turqisë për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës pas luftës, diçka për të cilën këto vende kishin ngurruar të zotoheshin pa ndërprerjen e luftimeve.

Por, SHBA-ja dhe Izraeli kanë mospajtime të thella për atë se si do të udhëhiqet Gaza kur – dhe nëse – udhëheqësit e tanishëm të Hamasit mposhten. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje Autoritetit Palestinez, i cili i qeveris pjesët e uzurpuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor, ta qeverisë edhe Gazën, si dhe kanë bërë thirrje për bisedime për rifillimin e themelimit të një shteti palestinez.

Zyrtarët izraelitë nuk e pranojnë asnjërën nga këto.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë trysni Izraelit ta kufizojë ofensivën në Gazë në operacione më të sakta që kanë për cak vetëm Hamasin. Megjithatë, shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimit ka vazhduar të jetë gati e njëjtë si gjatë tre muajve të ofensivës së saj, pas disa qindra palestinezë vriten brenda ditës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë.