Blinken do të diskutojë me Macronin për Ukrainën dhe Gazën

Blinken do të diskutojë me Macronin për Ukrainën dhe Gazën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të diskutojë për mbështetjen për Ukrainës gjatë bisedimeve që do të zhvillojë në Paris javën e ardhshme me presidentin francez, Emmanuel Macron, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Franca është në mesin e furnizueseve më të mëdha ushtarake të Ukrainës, shtet që po përballet me sulmet e pareshtura ruse, pasi Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Kërkesa e presidentit amerikan, Joe Biden, për miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Kievin është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët.

“Sekretari Blinken do të takohet me presidentin Macron për të diskutuar për mbështetjen për Ukrainën, përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në Gazë dhe një numër temash të tjera të rëndësishme”, tha për gazetarët zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Franca ka kërkuar një armëpushim të përhershëm mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – ndërkaq SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit, së fundi lejoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të miratonte një rezolutë që bënë thirrje për armëpushim gjatë Muajit të Ramazanit.