
Bizneset në alarm, paralajmërojnë protesta në Prishtinë
Sot, organizatat ekonomike të Kosovës kanë mbledhur rreth 300 përfaqësues të bizneseve nga e gjithë Kosova, të cilët janë goditur rëndë nga pasojat e kalimit në tregun e lirë energjetik, që ka sjellë rritje të menjëhershme dhe të paqëndrueshme të çmimit të energjisë – në disa raste mbi 250%.
Gjatë takimit, bizneset shprehën shqetësim të thellë për ndikimin e këtyre rritjeve në koston e operimit, rrezikimin e vendeve të punës dhe pasiguritë në të bërit biznes në vend.
Si përgjigje ndaj kësaj situate të rënduar, u vendos që të ndërmerren hapa konkretë. Bizneset, së bashku me organizatat përfaqësuese, paralajmëruan protesta gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e punëtorëve dhe bizneseve në qendër të Prishtinës më 11 qershor 2025 nga ora 11:00.
Qëllimi i protestës është të kërkohet nga institucionet e Kosovës ndërhyrje urgjente për të mbrojtur sektorin privat nga falimentimi dhe për të rivlerësuar politikat e tregut të lirë energjetik.
Organizatat ekonomike u zotuan të mos ndalen deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për bizneset dhe ekonominë e vendit.