Bislimi: Raporti i Borrellit pritet të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën

Bislimi: Raporti i Borrellit pritet të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se raporti i shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.

Borrellit i ishte kërkuar një raport i tillë nga vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese.

Duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane të enjten në Prishtinë, Bislimi theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.

“Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën”, tha ai, pa shpjeguar.
Bislimi ka thënë se ky raport, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme.

“Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e Komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, theksoi Bislimi.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.