Bislimi për sulmin në veri: I dyshuari është dora e djathtë e Radoiçiqit
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se Lista Serbe është munduar të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut.
Ai, lidhur me këtë distancim i përmend edhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriqin dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
Njëjtë, Bislimi thotë se vepruan edhe për sulmin terrorist në Banjskë.
Po ashtu, lidhur me sulmin në veri, Bislimi thotë se i dyshuar është dora e djathtë e kryeterroristit, Milan Radoiçiq.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pak çka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shkruar në rrjetet sociale zëvendëskryeministri.