Bislimi nuk pret rezultate nga takimi i 17 dhjetorit: Po ndodh në një moment kritik për tri arsye…
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shfaqur kritik si jo rrallë herë ndaj Bashkimit Evropian në lidhje me kritikat që janë bërë nga evropianët në drejtim të Kosovës e Serbisë lidhur me mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke thënë se BE ka preferuar që të ndajë fajësinë mes palëve.
Kjo sipas Bislimit, është bërë pasi që gjithëherë sipas tij, në Bruksel ka qenë një qasje ku apostrofimi i palës përgjegjëse mund të ndikojë negativisht në gatishmërinë e kësaj pale për të marrë pjesë.
‘‘Ka qenë një qasje në Bruskel që për të ecur tutje në normalizim na duhen të dyja palët, dhe çfarëdo tentative që njëra palë të apostrofohet si palë përgjegjëse mund të ndikojë negativisht në gatishmërinë e kësaj pale për të marrë pjesë. Edhe në kuadër të kësaj, në mungesë të vullnetit që të identifikohet pala bllokuese, Bashkimi Evropian ka preferuar pastaj që të ndajë fajësinë mes palëve.’’, ka thënë ai për ‘Zërin e Amerikës’.
Ai po ashtu ka folur edhe për takimin e radhës që do të mbahet me 17 dhjetor për të cilin ai ka thënë se nuk do të duhej të prodhonte pritshmëri.
“Takimi i datës 17 dhjetor nuk është se mund të prodhojë, ose do të duhej të prodhonte, pritshmëri, qoftë në Bruksel, qoftë në Prishtinë apo në Beograd. Ai po ndodh në një moment kritik për tri arsye: Kemi sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, kemi ardhjen e figurave të reja që do të jenë në komision dhe kemi largimin e zotit Lajçak, i cili e përfundon mandatin. Realisht, kjo nuk është periudha më e mirë për të nisur diçka më të madhe, por me gjasë nuk ka gatishmëri as nga pala serbe për t’u marrë seriozisht me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit”, ka thënë Bislimi gjatë një interviste për mediumin “Zëri i Amerikës”. /GazetaExpress