Bislimi e përmendi luftën, Hoxhaj: E shpalle veten negociator të dështuar
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se shndërrimi i politikës së jashtme të Kosovës si një mekanizëm për të mos bërë asgjë, ka bërë që Kosova të paraqitet ndërkombëtarisht si një shtëpi kartoni, në të cilën çdo minut mund të shpërthejë lufta.
Sipas tij, kjo po tregon më shumë profilin personal të aventurierëve politikë që drejtojnë sot Kosovën, mungesën e dijes në komunikim ndërkombëtar dhe arrogancën si mënyrë për të fshehur dobësinë e tyre psikologjike.
“I nisur nga dëshira për të treguar se po bënë diçka, i pavetëdijshëm për përgjegjësinë dhe i humbur në kohë e hapësirë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është shembull tipik i politikanit gjithsesi të padijshëm që ngatërron kuptimin e qëndrimit politik me ndjeshmërinë e lidhjes me publikun, kur deklaroi në mediumin ukrainas se ‘duhet të jemi gati për luftë’. Kur negociatori dështon, ai flet për luftën. Me këtë lloj deklarate Besnik Bislimi e ka shpallë veten negociator të dështuar”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.