Bislimi: Do të zbatojmë rekomandimet e KE-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ekzekutivi kosovar do të zbatojë rekomandimet që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, që u publikua më 30 tetor.
Pasi autoritetet e Kosovës pranuan raportin, Bislimi në një konferencë për media tha se ky raport tregon se Qeveria e Kosovës ka vazhduar “me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt Bashkimit Evropian”.
Ai tha se ekzekutivi ka prioritet agjendën e integrimit evropian, pavarësisht “masave të padrejta që janë në fuqi”.
“Ne i karakterizojmë ato si të padrejta sepse së pari është rekomanduar largimi i tyre tashmë dhe pavarësisht këtij rekomandimi, ato prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, duke dëmtuar kështu mbase vetë kredibilitetin e BE-së karshi qytetarëve tanë. Ritheksojmë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, presim që Këshilli ta marrë një vendim të shpejtë për heqjen e tyre”, tha Bislimi.
Bislimi tha se në raport, KE-ja e përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme ndaj luftës në Ukrainë, për vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me masat e marra nga BE-ja dhe po ashtu për përafrimin e politikës së vizave me atë të bllokut evropian.
“Komisioni Evropian po ashtu përgëzon Kosovën për përgatitjen dhe miratimin e Agjendës së Reformave për vitet 2024-2027, e vlerësuar si një agjendë relevante, ambicioze, dhe që synon të përmbushë qëllimet e instrumentit të ri për reforma dhe rritje ekonomike. Ky vlerësim buron nga përkushtimi i Kosovës në avancim të agjendës evropiane por edhe në bashkëpunim rajonal”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha po ashtu se përparim është vërejtur edhe në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, avancimit në çështjen e barazisë gjinore, duke theksuar se vetëm në dy kapituj është thënë se Kosova nuk ka shënuar progres.
Në raportin për Kosovën është thënë se shteti mbetet i përkushtuar në rrugën drejt integrimit evropian.