
Bie blloku A5, KEK: Ndalet për sanimin e rrjedhjeve
Para pak orësh, blloku A5 ka rënë nga funksioni.
Për këtë problem, ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës e cila ka njoftuar se njësia A5 është ndalur nga operimi si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), në kuotën 10–15 metra.
Përmes reagimit bëhet e ditur se ndalja është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të defekteve të mundshme dhe kryerjes së sanimeve të nevojshme.
“KEK sh.a. aktualisht vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike me katër (4) njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2. Në kushte të zakonshme operimi, KEK funksionon me katër njësi, ndërsa gjatë periudhave me kërkesë të rritur ka angazhuar maksimalisht edhe njësinë e pestë”, thuhet në njoftim.
Tutjë KEK, njofton se menjëherë pas përfundimit të sanimit, Njësia A5 do të rikthehet në operim, me qëllim të vazhdimit të operimit me kapacitet maksimal prodhues, gjithnjë në përputhje të plotë me standardet e sigurisë”, thuhet në njoftim.
