Biden pas atentatit kundër Trumpit: Urrejtja nuk duhet të ketë port të sigurt

Biden pas atentatit kundër Trumpit: Urrejtja nuk duhet të ketë port të sigurt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve që të refuzojnë dhunën politike dhe të riangazhohen për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.

Biden foli nga Zyra Ovale një ditë pas atentatit kundër ish-presidentit republikan, Donald Trump, i cili pritet të jetë rival i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, raporton Rel.

“Të shtënat në mitingun e Donald Trumpit në Pensilvani na bëjnë thirrje të gjithëve që të bëjmë një hap prapa”, tha Biden.

“Në Amerikë nuk ka vend për këtë lloj dhune – për asnjë lloj dhune”, theksoi ai.

Biden tha se Partia e tij Demokratike dhe republikanët mund të konkurrojnë fuqishëm mbi vizione të ndryshme politike, por se këtë duhet ta bëjnë në një mënyrë të qytetëruar.

Në Amerikë, tha ai, “ne i zgjidhim mosmarrëveshjet në kutitë e votimit, e jo me plumba”.

Sipas tij, “fuqia për të ndryshuar Amerikën, duhet të qëndrojë gjithmonë në duart e njerëzve, e jo në duart e vrasësve të mundshëm”.

“Urrejtja nuk duhet të ketë një port të sigurt”, tha Biden.

Politika, sipas tij, duhet të jetë “një arenë për debat paqësor”.