Biden paralajmëron se çfarë mund të ndodhë me Ballkanin nëse ShBA-të tërhiqen nga Ukraina

Biden paralajmëron se çfarë mund të ndodhë me Ballkanin nëse ShBA-të tërhiqen nga Ukraina

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se anulimi i mundshëm i ndihmës financiare për Ukrainën mund të çojë në një fitore të shpejtë të Rusisë dhe madje në një krizë të re në Ballkan.

“Nëse ne largohemi dhe Rusia është në gjendje të vazhdojë sulmin dhe të shembë Ukrainën, çfarë mendoni se do të ndodhë në vendet e Ballkanit?” Biden pyeti kryetarët e bashkive në SHBA në një takim të premten, shkruante “NBC News”.

“Kjo ndryshon dinamikën.”

Siç shkruante “NBC News”, në një takim privat mesjavës me ligjvënësit, Biden dhe këshilltarët e lartë të sigurisë kërkuan të mbështesin iniciativën për mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës. Biden ka premtuar se Shtëpia e Bardhë do të qëndrojë pranë Ukrainës “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Ai tha se nëse SHBA heq dorë nga Ukraina, Rusia mund të triumfojë brenda disa javësh ose më së shumti disa muaj.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, SHBA-të dhe vendet perëndimore kanë mbajtur anën e Ukrainës dhe kanë forcuar krahun lindor të NATO-s, afër Rusisë. Së fundmi, NATO ka shpallur stërvitjen më të madhe ushtarake pranë Rusisë me mbi 90 ushtarë.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 111 miliardë dollarë për Ukrainën, prej nisjes së luftës, përfshirë 67 miliardë dollarë për blerje të pajisjeve ushtarake.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kosova dhe Ballkani në tërësi konsiderohen nga shumë ekspertë si pika të nxehta të rrezikshme, për shkak të ndikimit të Serbisë nga Rusia.