Biden i premton Ukrainës sisteme të reja të mbrojtjes ajrore

Biden i premton Ukrainës sisteme të reja të mbrojtjes ajrore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do t’ia dalë, shkruan Rel.

Ai njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, duke përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

“Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin, sidomos me mbështetjen tonë të plotë kolektive. Ajo e ka mbështetjen tonë të plotë”, tha Biden në ditën e parë të Samitit vjetor të NATO-s, që mbahet në Uashington.

“Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend të lirë dhe të pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë”, shprehu bindjen ai.

Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe partnerët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si dhe qindra përgjues gjatë vitit të ardhshëm.

Në një deklaratë që lëshoi Shtëpia e Bardhë, sqarohet se SHBA-ja, Gjermania dhe Rumania do t’i dhurojnë bateri Patriot vendit në luftë, ndërsa Holanda dhe partnerët e tjerë do t’i ofrojnë komponentë Patriot për të mundësuar funksionimin e disa baterive shtesë. Italia do të dhurojë, po ashtu, një sistem shtesë SAMP-T.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit.