Biden dhe Zelensky do nënshkruajnë një marrëveshje të re sigurie SHBA-Ukrainë

Biden dhe Zelensky do nënshkruajnë një marrëveshje të re sigurie SHBA-Ukrainë

Presidenti Joe Biden dhe presidenti Volodymyr Zelensky do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe sigurie mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të enjten, kur të takohen në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Grupit të Shtatëshes në Itali.

Kjo synon t’i dërgojë një sinjal të qartë Rusisë për vendosmërinë amerikane në mbështetje të Kievit, u shpreh Shtëpia e Bardhë ndërsa presidenti Biden po udhëtonte drejt Evropës.
Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan tha se marrëveshja nuk do të angazhojë drejtpërsëdrejti forca amerikane përballë sulmit të Rusisë – një vijë e kuqe kjo e përcaktuar nga presidenti Biden, i cili nuk dëshiron tërheqjen në një konflikt të drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore.
Njoftimi për këtë marrëveshje të re u bë ndërsa presidenti Biden shkon për në takimin e nivelit të lartë të vendeve më të mëdha demokratike të botës, me një ndjesi të shtuar urgjence për të arritur rezultate, përfshirë shfrytëzimin e pasurive të ngrira ruse prej miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e makinerisë ruse të luftës.

“Duam të demonstrojmë se Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e Ukrainës, se u qëndrojmë përkrah dhe se do të vazhdojmë t’i ndihmojmë për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë”, tha zoti Sullivan, duke shtuar se “kjo marrëveshje do të tregojë vendosmërinë tonë”.

Sullivan informoi se marrëveshja e re ka marrë tashmë miratimin e 15 vendeve të tjera. “Nëse Vladimir Putini mendon se mund të mbizotërojë përballë koalicionit që mbështet Ukrainën, ai gabohet”, tha Sullivan.