
Berisha: PDK-ja s’duhet të jetë në asnjë koalicion kur nuk e ka pozitën e kryeministrit
Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të jetë në asnjë koalicion kur nuk e ka pozitën e kryeministrit.
Sipas tij nëse PDK-ja nuk e ka këtë pozitë nuk ia vlen të futet në asnjë koalicion pasi siç ka thënë ai ‘kjo është parti pa të cilën nuk mund të përmbyllen proceset politke për shtetin’.
“Unë mendoj që Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të jetë në asnjë koalicion kur nuk e ka pozitën e kryeministrit. Partia Demokratike nëse hyn në çfarëdo koalicioni në këtë rast nuk po e përjashtoj as Lëvizjen Vetëvendosje, pra cilado qoftë kombinatura e bërjes së qeverisë duhet ta ketë pozitën e kryeministrit përndryshe nuk ia vlen të futet në asnjë koalicion. Eshtë parti pa të cilën nuk mund të përmbyllen proceset politke për shtetin sepse i ka kreditë historike në investimin në këtë proces politik dhe duhet të mbetet kështu”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndërkaq, nëse PDK-së i vie një letër për takim konsultativ nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, sipas tij janë dy qëndrime që duhet mbajtur dhe dy rrugë që duhet ndjekur.
Megjithatë, Berisha vlerëson se është fyerje të ulen në një tavolinë me një njeri që e ka quajtur gjithë spektrin opozitar “hajvanat”.
Ai ka shtuar se bashkimi bashkimi me një politikan si Albin Kurti për të formuar qeverinë nuk prodhon stabilitet dhe ‘nuk është në moralin politik të një subjekti politik siç është PDK-ja’.
“Janë dy qëndrime që duhet mbajtur dhe dy rrugë që duhet ndjekur në qoftë se do të ketë një letër nga Kurti. E para takimi i liderëve politik duhet të ndodhë në çdo rrethanë, përkundër faktit që Albin Kurti është njeriu që ka krijuar një hendek të tillë përmes komunikimit që nuk meriton asnjëherë sepse është i papjekur politikisht. Është fyerje sot me dal me u ul me një njeri që e quan komplet spektrin opozitar “hajvanat”. Unë mendoj se bashkimi me një politikan të tillë për të bërë qeveri nuk prodhon stabilitet dhe nuk është në moralin politik të një subjekti politik siç është PDK-ja. Unë s’do ta kisha parë veten në një ekip të tillë sepse është fyerje për identitetin e kësaj partie që në ADN-në e saj ka edhe UÇK edhe tërë gamën e historisë”, ka shtuar Berisha./teve1.info/