Bekim Jashari i reagon OVL-UÇK-së: Ka mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, bojkoti nuk ndryshon rrjedhën e historisë

Bekim Jashari i reagon OVL-UÇK-së: Ka mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, bojkoti nuk ndryshon rrjedhën e historisë

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të enjten ka njoftuar se ka marrë vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

E, për këtë ka reaguar edhe ish-kryetari Skenderajt, Bekim Jashari, i cili tërthorazi ka kritikuar OVL-UÇK-në, duke shkruar se nuk është momenti për bojkot të momenteve festive.

“Kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim. Vetëm pak ishin ata që bojkotuan dhe nuk u bënë pjesë e “dasmës së lirisë”. Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë”, ka pohuar ai në Facebook.

Tutje, ai ka shkruar se “Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë”.

“Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.” Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste! Lavdi dëshmorëve”, shkruan Jashari.

Ndryshe, kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot në mbledhjen e mbajtur ka marr vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.