Bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morën pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas.

Kryeministri Kurti, me këtë rast tha se, ajo çfarë po angazhohemi me fokus të posacëm, është të bëjmë kalimin nga zonat ekonomike të pafunksionalizuara, drejt parqeve industriale të specializuara, parqeve industriale të gjelbra dhe parqeve të teknologjisë e të inovacionit. Gjithashtu kryeministri tha se këto parqe industriale janë dëshmi, që ne, edhe besojmë në konkurrencën e lirë midis bizneseve, por gjithashtu mundësojmë edhe bashkëpunimin midis bizneseve për vlerë të shtuar.

Parku Drenas 2, pritet të jetë sa më shumë i gjelbër, me qasje në energji të ripërtërishme, me objekte të menaxhimit të mbeturinave e të ngjashme dhe do të jetë në shërbim të bizneseve tona me veprimtari inovative për të rritur riciklimin në prodhim dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë së gjelbër.

I iniciuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe nga agjencia KIESA, ky park do të ketë një sipërfaqe prej 36.5 hektarësh, do të jetë në pronësi të Qeverisë, do të ketë një investim prej 7,7 milionë euro, e hapësirë për 50 biznese prodhuese duke përfshirë ato me veprimtari inovative që do të kontribuojnë dhe përfitojnë nga ekonomia qarkore.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli.