Begaj takohet me Peach, i shpreh vlerësim për kontributin e ushtarëve britanikë në KFOR
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Lordin Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se biseda u fokusua në situatën e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe globale, ku u theksua rëndësia e integrimit Euroatlantik përballë pasojave të ndikimit të aktorëve të tretë.
Në këtë kontekst, u theksua që vendet e rajonit të vijojnë të kenë të linjëzuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Rëndësi iu kushtua nevojës për investime në infrastrukturë, që do të mundësonin forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Korridorit VIII, një projekt që afron vendet midis Adriatikut dhe Detit të Zi.
Gjithashtu, ndryshimet e reja në strukturat evropiane u vlerësuan si një mundësi për përfitim nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Shqipërisë i shprehu Lordit Peach mirënjohje për angazhimin dhe përpjekjet e tij si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, për forcimin e stabilitetit rajonal, atë të institucioneve demokratike dhe ndihmën për trajtimin e sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë.
Një vlerësim të veçantë presidenti Begaj shprehu për kontributin e dhënë me trupa në KFOR për ruajtjen e sigurisë në Kosovë.