Begaj takohet me kreun e Kuvendit të RMV: Rrugën e bashkëpunimit tonë nga dy korsi do ta bëjmë me katër

Begaj takohet me kreun e Kuvendit të RMV: Rrugën e bashkëpunimit tonë nga dy korsi do ta bëjmë me katër

Presidenti Bajram Begaj është takuar këtë të enjte në Shkup me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veritu, Afrim Gashi. Begaj bën me dije se mes të dyve është diskutuar për “rëndësinë e mësimeve të së kaluarës dhe për të ardhmen që duam të krijojmë së bashku”.

“Angazhimi ynë është i fortë për të lënë një trashëgimi të pasur miqësie për brezat e ardhshëm dhe për të shtyrë përpara integrimin tonë euro-atlantik. Besoj se rrugën e bashkëpunimit tonë nga dy korsi do ta bëjmë me katër të tilla!”, shkruan kreu i shtetit në rrjetet sociale.

Pas Gashit, Begaj pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë të RMV-së, Talat Xhaferi dhe me ish-Presidentin Stevo Pendarovsi.

Begaj ndodhet në Shkup për të marrë pjesë në Samitin e SEECP (Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore) i cili mikpritet nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në këtë samit si edhe do të jetë pjesë e Trojkës që do të mbajë një konferencë për shtyp në fund të punimeve të Samitit.

Shqipëria do të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme rajonale për vitin 2024-2025.