Befason UEFA, zyrtarizon bastet si sponsor në Champions
UEFA ka rënë dakord për një marrëveshje të re sponsorizimi me markën britanike të lojërave të fatit “bet365”.
Marrëveshja, e cila zgjat deri në fund të sezonit 2026/27, e sheh kompaninë të bëhet marka e parë e basteve sportive që sponsorizon Champions League.
Kjo është një risi e bërë nga UEFA, e cila më parë ishte e “prerë” në luftën kundër fiksimeve të ndeshjeve, me bastet që sillnin përfitime për klubet.
Gjithsesi gjërat duket se ndryshojnë, me “bet365” që do të sponsorizojë kështu kompeticionin më të madh europian për klube dhe do të marrë ekspozimin e markës në tabelat LED të perimetrit brenda fushës, vendet e mediave dhe në të gjithë kanalet dixhitale të Champions League.
Marrëveshja, e cila është përpjekja e parë e UEFA Champions League në sponsorizimin e lojërave të fatit, vjen në një kohë kur industria e basteve është nën qendër të vëmendjes në futboll.
Premier League tashmë po shkon drejt një ndalimi vullnetar të sponsorizimeve të fanellave me lojërat e fatit në vitin 2026 dhe reklamimi i lojërave të fatit është i ndaluar në Spanjë, shkruan tch.
Guy-Laurent Epstein, Drejtor i Marketingut në UEFA, tha:
“Ne jemi të emocionuar të mirëpresim ‘bet365’ si një sponsor zyrtar global të Ligës së Kampionëve, duke bashkuar kompeticionin më prestigjioz në botë të futbollit për klube me miliona tifozë të pasionuar anembanë globit”.
“Si një nga markat kryesore të basteve sportive në internet, me mbi 100 milionë klientë, ‘bet365’ është i përkushtuar për të rritur emocionet e sportit duke promovuar praktikat e përgjegjshme të lojërave. Ne presim me padurim një partneritet të suksesshëm që jo vetëm që rrit përvojën për tifozët tanë, por gjithashtu mbështet përpjekjet për të mbrojtur integritetin e sportit”, përfundon ai.
Nga ana tjetër, Alex Sefton, shefi i marketingut global i “bet365”, shtoi:
“Si marka e parë e basteve sportive që sponsorizon Ligën e Kampionëve, ne jemi të kënaqur që i bashkohemi listës së partnerëve të markave kryesore të profilit të lartë në një kohë kaq emocionuese për kompeticionin.
‘bet365’ ka një trashëgimi të gjatë dhe të suksesshme futbolli dhe ky partneritet prestigjioz pasqyron angazhimin tonë për t’u dhënë tifozëve përvoja të jashtëzakonshme”.