Bechev: Kurti shtoi rreziqet në veri me çështjen e dinarit

Bechev: Kurti shtoi rreziqet në veri me çështjen e dinarit

Dimitar Bechev, ligjërues në Universitetin e Oksfordit dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një prononcim për “Radio Evropa e Lirë” të dielën, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, shtoi rreziqet në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, posaçërisht pas vendimit për nxjerrjen nga përdorimi të dinarit serb.

Duke konsideruar se Kosova duhet të fokusohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përpara se të flasë për integrimet evropiane, ai theksoi se Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në vend se mendojnë për një zgjidhje përfundimtare të problemit, duhet ta menaxhojnë krizën e vazhdueshme në veri.

“Për fat të keq, ajo që kemi parë për një vit apo një vit e gjysmë në Kosovë, është se si BE-ja ka trajtuar kriza të përsëritura. Në veri të Kosovës ka gjithmonë kriza, tensione, protesta… Kurti po i shton rreziqet tani me çështjen e valutës”, deklaroi Bechev, duke qenë se atmosfera e nxehtë në marrëdhëniet midis dy vendeve tashmë është bërë normë.

“Pra, politikëbërësit evropianë, por edhe SHBA-të, që janë po ashtu të përfshira në Kosovë, duhet të fikin zjarre, në vend se të mendojnë për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ndër të tjera ai, derisa parashikoi që Serbia do të jetë jashtë BE-së për një të ardhme të parashikueshme, posaçërisht për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Në këtë drejtim, ekizton bindja e liderëve evropianë se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë. Gjithashtu, as Kosova e as Serbia, nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në normalizimin e raporteve.