BE: Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, akt terrorist dhe sabotues
Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” një shpërthim ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të premten në veri të Kosovës, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media të shtunën pasdite.
“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Borrell nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.
“Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”, tha Borrell.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet.