BE: Statuti i Asociacionit duhet të prezantohet në dialog

BE: Statuti i Asociacionit duhet të prezantohet në dialog

Bashkimi Evropian konsideron se sipas marrëveshjeve përkatëse të dialogut, statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet në dialogun e Brukselit dhe të diskutohet në kuadër të këtij procesi.

Në një reagim lidhur me propozimin e sotëm të cilin ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla shprehu gatishmërinë që Kosova të ecë tuje me formimin e Asociacionit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nënvizoi se përmbajtja e statutit të paralajmëruar, nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë e as me BE-në si lehtësues.

“Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, është shprehur Stano në një përgjigje me shkrim.

Sido që të jetë, ai, shton se BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar përfundimisht “tani pasi që nga viti 2013, për fat të keq, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit”.

Ai rikujtoi se në tetor të vitit 2023, BE, e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj – prezantoi një projekt-statut për themelimin e Asociacionit, bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Gjithashtu tërhoqi vërejtjen se liderët e BE-së, në dhjetor të vitit të shkuar, përshëndetën “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga BE”.

“Kjo është njohje formale e dokumentit nga të 27 shtetet anëtare të BE-së”, porositi zëdhënësi Stano.