BE: Presim proces zgjedhor demokratik në Maqedoninë e Veriut më 8 maj

BE: Presim proces zgjedhor demokratik në Maqedoninë e Veriut më 8 maj

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, tha të shtunën se blloku pret të ketë zgjedhje demokratike dhe të rregullta në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, kur do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare njëkohësisht.

Kandidatja opozitare Gordana Silanovska-Davkova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën bindshëm po pamjaftueshëm per ta shmangur rundin e dytë, ku më 8 maj do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

Geer tha se shpreson se pjesa e dytë e fushatës zgjedhore dhe zgjedhjet e dyfishta do të kalojnë në një frymë demokratike dhe paqësore, siç e vlerësoi OSBE/ODIHR rundin e parë në raportin e saj preliminar.

“Më e rëndësishmja është…në rundin e parë zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe demokratike. Dhe, ne shpresojmë shumë që në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare, të gjithë të angazhohen për ta përfunduar procesin përmes mesazheve pozitive në fushatë”, tha Geer.