BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) janë duke punuar për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në Bashkim Evropian (BE), në mënyrë që në mesin e kushteve detyruese ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo.

“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare“, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të martën në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së në konkluzionet e miratuara nga Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor.

Që nga viti 2011, BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët të zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

Pikërisht përfshirja e detyrimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në BE ishte përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të detyrueshme”.

BE insiston se, sipas Konventës së Vjenës, edhe marrëveshjet që janë rezultat i pajtimit e që nuk janë nënshkruar kanë fuqinë e obligimit ligjorë për palët. Dhe kjo është, sipas BE-së, vlen edhe për Marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve.

Por, një letër e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo konfirmoi në dhjetor se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, paraqet herën e parë që ky shtet me shkrim deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“De facto ose de jure. Kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiq për televizionin Pink më 7 janar.