BE-ja i kërkon Serbisë ta sqarojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë
Bashkimi Evropian ka thënë se është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë në lidhje me pasivizimit të adresave të tyre, dhe i ka bërë thirrje përsëri Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje, tha të enjten zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero, raporton Rel.
Gjatë kësaj jave Gjykata Kushtetuese e Serbisë ia hodhi poshtë ankesën një banori shqiptar nga Medvegja për kthimin e adresës së tij, duke nxitur reagime.
Pisonero nuk deshi t’i komentojë vendimet e gjyqësorit serb për rastet e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, por e përsëriti shqetësim që BE-ja e kishte shprehur edhe në Raportin e Progresit për Serbinë muajin e kaluar.
“Ne kemi marrë në dijeni shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në Serbi. Jemi duke ndjekur këto zhvillime në frymën e obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave të anëtarësimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, tha Pisonero.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbe, duke mbajtur disa protesta në muajt e fundit.
Pisonero tha se BE-ja e ka bërë të qartë se ka nevojë që autoritetet e Serbisë të sqarojnë për publikun se si janë kryer kontrollet e vendbanimeve që kanë rezultuar me pasivizimin e adresave dhe nëse jugu i Serbisë është vënë në shënjestër veçanërisht.