
BE-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare
Bashkimi Evropian dhe India njoftuan për arritjen e asaj që po konsiderohet si marrëveshja më e madhe tregtare – pakt që krijon një treg për 2 miliardë njerëz, i cili u arrit pas dy dekadash negociata, raporton Rel.
Shefat e BE-së dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, thanë se shpresojnë që marrëveshja do të ndihmojë në mbrojtjen ndaj sfidave që vijnë nga dy ekonomitë kryesore të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Marrëveshja do të ulë ose eliminojë tarifat për pothuajse 97 për qind të eksporteve evropiane, duke kursyer deri në 4 miliardë euro në vit nga detyrimet doganore, njoftoi blloku evropian prej 27 shtetesh.
“Nëna e të gjitha marrëveshjeve”, tha Modi në Nju Deli, kur u takua të martën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Kjo marrëveshje do të sjellë shumë mundësi për 1.4 miliard banorët e Indisë dhe për miliona njerëz në BE”, tha Modi, duke shtuar se marrëveshja “paraqet rreth 25 për qind të GDP-së globale dhe një të tretën e tregtisë globale”.
BE-ja e ka parë Indinë – vendin më të populluar në botë – si një treg të rëndësishëm për të ardhmen.
“Evropa dhe India po bëjnë histori sot”, tha von der Leyen përmes një deklarate.
“Kemi krijuar një zonë të tregtisë së lirë me 2 miliardë njerëz, nga e cila do të përfitojnë të dyja palët”.
Zyrtarët e BE-së thanë se marrëveshja ishte më ambiciozja që India ka pranuar ndonjëherë, dhe se kompanitë evropiane do të përfitojnë nga i ashtuquajturi “avantazh i hyrjes në treg si të parët”.
