BE-ja ashpërson sanksionet ndaj Bjellorusisë

BE-ja ashpërson sanksionet ndaj Bjellorusisë

Shtetet e Bashkimit Evropian u pajtuan për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për shkak të luftës në Ukrainë, me qëllim që t’i lidhin sanksionet më shumë me masat që shënjestrojnë Rusinë, në përpjekje për të frenuar shmangien e sanksioneve, thanë zyrtarët.

“Ambasadorët e BE-së u pajtuan në parim për paketën e re të sanksioneve që shënjestron Bjellorusinë”, njoftoi Belgjika, shtet që aktualisht udhëheq presidencën e BE-së.

“Kjo paketë do të forcojë masat tona në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, përfshirë luftimin e shmangies së sanksioneve”, u tha në njoftim.

BE-ja e ka sanksionuar Qeverinë e liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, aleat i ngushtë i Kremlinit, për shkak se ai ka lejuar që shteti i tij të përdoret për nisjen e pushtimit rus të Ukrainës.

Afrimi i sanksioneve ndaj Bjellorusisë me ato të vendosura ndaj Moskës shihet si thelbësore për të ndaluar që mallrat e ndaluara të shkojnë në Rusi, sikurse janë mikroçipat, të cilët mund të përdoren në fushëbetejë në Ukrainë.

Zyrtarët në Bruksel kanë ndaluar dërgimin e mallrave nga BE-ja në Rusi, raporton Rel.