
Basha bën homazhe për Nexhat Dacin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka bërë homazhe dhe u nënshkrua në Librin e Zisë për kryetarin e parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nexhat Dacin.
Bashka ka theksuar se akademiku Daci ishte figurë kyçe e periudhës paraprirëse të shtetndërtimit, me impakt të lartë për lidhjen e dijes me përgjegjësinë publike dhe urtësinë me demokracinë.
“Si akademik dhe si burrështetas, ai vendosi standarde të larta institucionale e njëkohësisht dha kontribut të çmueshëm për organizimin e strukturave arsimore paralele në momentet më të ndjeshme të Kosovës. Maturia e tij dhe vizioni politik pas çlirimit kontribuoi pazëvendësueshëm në ndërtimin e themeleve të demokracisë dhe tolerancës politike në vendin tonë, meritë kjo që Kryetarit Daci do t’i njihet në tërë ekzistencën e shtetit të Kosovës”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për akademikun Nexhat Daci dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Basha në Facebook.
