Barcelona tregon forcën në Champion, katalanasit në çerekfinale, Arsenali i falet penalltive
Champions League dhuroi emocione të mëdha këtë të martë mbrëma.
Barcelona ka prerë një biletë për në fazën çerekfinale, pasi eliminoi Napolin. Takimi i parë kishte përfunduar 1-1, ndërsa në Estadi Olímpic Lluís Companys (Barcelona), Lewandowski me shokë triumfuan 3-1!
Në minutën e 15-të, një top i Raphinhas në zonë rezultoi si një penallti në lëvizje për Lopez, i cili përballë portës ia doli të zhbllokojë llogaritë. Vetëm 2 minuta më pas, një zbritje e shpejtë e katalanasve solli edhe golin e dytë të skuadrës së Xavit, falë finalizimit perfekt të Cancelos.
Kampionët e Italisë nuk u dorëzuan dhe shkurtuan diferencat brenda pjesës së parë. Edhe pse nuk është një sulmues, Amir Rrahmani e bëri shumë mirë atë rol, teksa realizoi në të 30-tën minutë. Në pjesën e dytë Barcca shtoi ndjeshëm presionin, duke vendosur disa herë në vështirësi prapavijën napoletane. Në të 83-të, goli i Lewandowski “vulosi” një herë e mirë kualifikimin e skuadrës spanjolle.
Arsenal iu fal penalltive ndaj Portos, për të shkuar kështu në çerekfinale (1-0 të dyja ndeshjet).
Ishte Trossard që “ndezi” shpresën e Gooners (41’-tën), me rezultatin brenda 90 minutash që mbeti i njëjtë. As koha shtesë nuk prodhoi gol, pasi skuadrat u kujdesën në maksimum të mos pësonin gol.
Skuadra e Artetas u tregua më e saktë nga pika e bardhë e penalltisë, sakaq portugezët paguajnë shtrenjtë gabimet e Wendell dhe Galeno.