Barazime dramatike në Gjilan e Drenas

Barazime dramatike në Gjilan e Drenas

Java e 30-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll është përmbyllur me dy ndeshje mjaft interesante dhe emocionuese.

Skuadra e Gjilanit barazoi 1:1 me Dukagjinin para tifozëve të vet në një ndeshje ku të dyja skuadrat luftojnë për mbijetesë në elitë. Mërgim Pefqeli realizoi për mysafirët në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, duke i dhënë epërsinë Dukagjinit. Por, kur dukej se tre pikët do të shkonin për skuadrën nga Klina, në skenë doli kapiteni Armend Thaqi, i cili realizoi një supergol nga goditja e dënimit në minutën e 93-të, duke ia siguruar një pikë shumë të rëndësishme skuadrës gjilanase.

Pas këtij barazimi, Gjilani renditet në vendin e shtatë me 39 pikë, ndërsa Dukagjini një pozitë më poshtë me 37 pikë.

Ndërkohë, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndodhi befasia, pasi skuadra pa shpresa për mbetje në elitë, Feronikeli 74 barazoi 3:3 me kampionin në fuqi, Ballkanin, që aktualisht zë vendin e dytë.

Ballkani kaloi në epërsi me golin e Almir Ajzerajt (7’), por Sokol Kiqina barazoi në minutën e 23-të. Eris Abedini riktheu epërsinë për Ballkanin në minutën e 39-të, për rezultatin 2:1 në fund të pjesës së parë. Kiqina realizoi edhe një supergol në minutën e 47-të për 2:2, por Almir Oda në minutën e 70-të riktheu epërsinë për Ballkanin. Megjithatë, dy minuta para fundit të kohës së rregullt, Amend Kryeziu barazoi shifrat përfundimtare në 3:3.

Me këtë barazim, Ballkani ka bërë një tjetër hap prapa në garën për titull dhe tani ka 12 pikë më pak se liderja Drita, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të kampionatit.