Barazim dramatik në “Zahir Pajaziti”, fitore e rëndësishme për Ferizajn

Barazim dramatik në “Zahir Pajaziti”, fitore e rëndësishme për Ferizajn

Superliga e Kosovës në futboll vazhdoi me emocione të mëdha në xhiron e 26-të, ku ndeshjet e zhvilluara të shtunën sollën rezultate interesante për ecurinë e kampionatit. Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi dhe Ballkani ndanë pikët pas një barazimi dramatik 1:1. Llapi synonte fitoren për të shmangur zonën e rrezikshme, ndërsa Ballkani kërkonte tri pikët për të mbetur në garë për titull, por në fund asnjëra nuk ia arriti qëllimit. Skuadra vendase kaloi në epërsi në minutën e 28-të me golin e Ardit Tahirit nga penalltia. Ballkani e kërkoi me ngulm barazimin dhe e arriti atë në minutat shtesë, kur sulmuesi Sunday Adetunji realizoi me kokë, për 1:1.
Llapi mbetet në pozitën e nëntë me 30 pikë, ndërsa Ballkani është në vendin e dytë me 44 pikë, duke mbetur 13 pikë prapa Dritës.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër tejet interesante, Ferizaj siguroi fitore të rëndësishme ndaj Dukagjinit, me rezultat 2:1. Ardit Topalaj dhe Erion Sadriu shënuan brenda një minute, në të 51-tën dhe 52-tën, për epërsinë 2:0. Dukagjini ngushtoi diferencën me një supergol të mesfushorit Vitor Hugo në minutën e 66-të, por nuk arriti të shmangë humbjen.
Ferizaj me këtë fitore arrin kuotën e 35 pikëve në vendin e gjashtë, duke u barazuar me Prishtinën dhe Gjilanin, që mbajnë pozitat katër dhe pesë. Ndërsa Dukagjini mbetet në pozitën e tetë me 32 pikë, aq sa ka edhe Suhareka në vendin e shtatë.