Banka Botërore: Ukrainës i nevojiten 524 miliardë dollarë për rimëkëmbje

Banka Botërore: Ukrainës i nevojiten 524 miliardë dollarë për rimëkëmbje

Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të saj të pritshëm të 2024-tës, kanë ardhur në përfundim Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës, raporton Rel.

Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë, deri më 31 dhjetor 2024, përfshin një rritje prej 70 për qind të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.

Ai shfaqi një rritje prej mbi 7 për qind nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë, teksa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, raporton Reuters.

Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”, thanë institucionet në një komunikatë të përbashkët për media.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën, dhe u ka thënë gazetarëve, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.

“Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës ka vazhduar të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.