Banka Botërore: Investimet dhe diaspora do ta përshpejtojnë rritjen ekonomike të Kosovës

Banka Botërore: Investimet dhe diaspora do ta përshpejtojnë rritjen ekonomike të Kosovës

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë më e lartë në vitin 2024, dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të parapandemisë.

Vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Kjo përfshin rritjen e investimeve për qytete më të gjelbra, duke u dhënë atyre mundësi të kontribuojnë në mënyrë më efikase në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thuhet në Raportin e ri Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.

Aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet me 3.2 për qind këtë vit, ose 0.2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit, dhe të vijojë me një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2025.

Parashikimet individuale për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, janë përfshirë në Përditësimin Ekonomik të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, të publikuar po sot.

Rritja e PBB-së në Kosovë pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje gradual e investimeve.

“Perspektiva është pozitive, por pasiguritë që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe politikën e brendshme, dhe një ngadalësim i mëtejshëm në BE sjellin rreziqe të konsiderueshme”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në, reformat në sektorët fiskal, të qeverisjes, arsimit dhe energjisë duhet të jenë prioritet”, shtoi ai.