Baneri anti-Kosovë në ndeshjen kundër Zvicrës, Serbisë i kushton 52 mijë euro

Baneri anti-Kosovë në ndeshjen kundër Zvicrës, Serbisë i kushton 52 mijë euro

UEFA e ka gjobitur Federatën e Futbollit të Serbisë me 52,000 euro për sjellje të pahijshme nga fansat, të cilët i fishkëllyen himnit kombëtar të Zvicrës dhe shpalosën një baner anti-Kosovë.

UEFA tha se paneli i saj disiplinor dënoi Serbinë edhe për diskriminim nga tifozët në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër zviceranëve më 12 tetor, ku mori pjesë presidenti i shtetit Aleksandar Vuçiq në Leskovc, shkruan Klankosova.tv.

AP raporton se ndeshjet midis Serbisë dhe Zvicrës kanë qenë të ngarkuara politikisht vitet e fundit, përfshirë edhe dy Kupat e fundit të Botës. Kapiteni i Zvicrës Granit Xhaka është me prejardhje nga Kosova.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe federata e futbollit ka kërkuar nga fansat që të mos sjellin banere të paaprovuara në ndeshjen me Zvicrën.

UEFA ka rregulla kundër deklarimeve politike nëpër stadiume dhe ka dënuar Serbinë për “transmetim të (një) mesazhi që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive”.

Serbia gjithashtu duhet të kryejë një periudhë prove dyvjeçare. Një shkelje e përsëritur do të bëjë që UEFA të mbyllë një pjesë të stadiumit të saj për një ndeshje.

UEFA ka dënuar edhe kombëtaren e Hungarisë dhe atë të Bosnjë e Hercegovinës.