
Ballkani rikthehet te fitorja, Gjilani afrohet me Evropën
Pas barazimit dramatik në xhiron e kaluar ndaj Feronikelit 74, Ballkani është rikthyer te fitorja në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke mposhtur Malishevën, me rezultat të ngushtë 3:2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të.
Heroi i këtij takimi ishte sulmuesi Sunday Adetunji, i cili realizoi dy gola në pjesën e parë (36’ dhe 44’), duke i dhënë epërsinë 2:0 skuadrës së Ballkanit. Malisheva reagoi në pjesën e dytë, duke ngushtuar shifrat fillimisht me golin e Robert Mathieu Ndjigit (54’), e më pas Drilon Hazrollaj barazoi rezultatin në 2:2 në minutën e 61-të. Megjithatë, reagimi i Ballkanit ishte i shpejtë, ku Queven Inacio realizoi golin e fitores në minutën e 68-të.
Pas kësaj fitoreje, Ballkani renditet në pozitën e dytë me 57 pikë, nëntë më pak se lideri aktual, Drita (66 pikë). Malisheva mban pozitën e tretë me 47 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme për t’u stabilizuar në renditje, por që i jep shpresa edhe në garën për të siguruar një vend në Evropë, duke mposhtur Suharekën, me rezultat bindës 3:0.
Golat për gjilanasit i shënuan Senad Jaroviq (50’ dhe 77’) dhe Blerind Morina (59’). Me këtë fitore Gjilani ngjitet në pozitën e katërt me 42 pikë, duke ngushtuar në vetëm pesë pikë diferencën me Malishevën.
Ndërkaq, Suhareka pas kësaj humbjeje vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit dhe përballet me rrezik serioz për rënie nga elita e futbollit kosovar.