Ballkani rikthehet në krye të tabelës pas fitores ndaj Malishevës

Ballkani rikthehet në krye të tabelës pas fitores ndaj Malishevës

Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani, ka shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjen përmbyllëse të xhiros së 13-të të AlbiMall Superligës së Kosovës, duke triumfuar 1:0 ndaj Malishevës.

Takimi, i zhvilluar të hënën në Suharekë, përfundoi me vetëm një gol, i cili mjaftoi për t’i dhënë tri pikë të rëndësishme skuadrës vendase.

Goli vendimtar u shënua në pjesën e parë nga sulmuesi nigerian, Sunday Adetunji.

Me këtë fitore, Ballkani ka arritur të rikthehet në krye të tabelës me 25 pikë, aq sa ka edhe skuadra e Dritës, e cila renditet e dyta me një ndeshje më pak të luajtur.

Ndërkohë, Malisheva vazhdon të mbajë vendin e tretë me 21 pikë.

Superliga e Kosovës do të pushojë për dy javë për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, gjë e cila u ofron ekipeve kohë për rikuperim.