Ballkani e Llapi arkëtojnë pikët plota, Drita befasohet nga Fushë Kosova

Ballkani e Llapi arkëtojnë pikët plota, Drita befasohet nga Fushë Kosova

Kampioni në fuqi, Ballkani është rikthyer te fitorja në kuadër të javës së 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Portokallezinjtë kanë siguruar një fitore të rëndësishme në fushën mysafire në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke mposhtur Dukagjinin, me rezultat 2:1. Ndeshja u karakterizua nga emocionet dhe golat e shpejtë.

Në aksionin e parë të ndeshjes, Meriton Korenica i Ballkanit shënoi një gol spektakolar pas një gjuajtje të saktë nga zona, duke i dhënë epërsi ekipit mysafir në sekondën e 25-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Nazmi Gripshi, në minutën e 27-të.

Ndërkaq, golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Max Rugova, në minutën e 87-të.

Fitore si mysafir realizoi edhe Llapi, që e mposhti Feronikelin 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultatin 1:0. Golin e tri pikëve të rëndësishme në garën për titull për llapjanët e realizoi Muhamet Hyseni në minutën e 68-të.

E për befasinë e madhe të kësaj jave u përkujdes Fushë Kosova, e cila i shkaktoi humbje Dritës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e shënoi Sinan Sinanoviq në minutën e 87-të. Me këtë humbje Drita bën një hap prapa në garën për titull.

Pas ndeshjeve të sotme, Ballkani mbetet në udhëheqje të Superligës me 48 pikë, një më shumë se Llapi dhe katër më shumë se Drita.