Ballkani bindës, Ferizaj merr tri pikë të rëndësishme në Drenas

Ballkani bindës, Ferizaj merr tri pikë të rëndësishme në Drenas

Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e javës së 28-të në AlbiMall Superligë, duke mundur Dukagjinin, me rezultat bindës 5:0, në ndeshjen e zhvilluar të premten në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Sunday Adetunji ishte protagonist i ndeshjes, duke realizuar dy gola që në minutat e para të takimit (4’, 32’), ndërsa në pjesën e dytë, Bleart Tolaj vazhdoi me dy gola të tij (49’, 64’). I gjithë dominimi i Ballkanit u përmbyll me një gol të Bernard Karricës në minutën e fundit të ndeshjes (90’).

Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në vendin e dytë në tabelë me 50 pikë, dhjetë më pak se lideri Drita, e cila ka një ndeshje më pak të luajtur.

Nga ana tjetër, Dukagjini vazhdon të luftojë për mbijetesë, duke mbetur me 35 pikë pas 28 ndeshjeve dhe ndan pozitën me Prishtinën, që ka një ndeshje më pak.

Në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje, Ferizaj ka shënuar një fitore të rëndësishme për mbijetesë, duke mundur Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Abdeen Abdul ishte autor i golit të vetëm të ndeshjes, duke realizuar në minutën e 48-të, vetëm pak çaste pas rifillimit të pjesës së dytë, me një gjuajtje të fuqishme nga brendësia e zonës.

Me këtë fitore, Ferizaj ngjitet në kuotën e 38 pikëve, duke barazuar me Gjilanin, që mban vendin e katërt me një ndeshje më pak të luajtur.