Bajrami: Kriza institucionale është shkaktuar nga LV

Bajrami: Kriza institucionale është shkaktuar nga LV

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet në favor të një zgjidhjeje të përgjegjshme që respekton Kushtetutën, demokracinë parlamentare dhe vullnetin e qytetarëve.

“Ne respektojmë të drejtën e të parit për të propozuar kryeparlamentarin, por kjo nuk do të thotë që ne bartin të drejtën e votës te një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesës së tyre. Janë dy mënyra për të bërë shumicën në Kuvend: i merr votat nga qytetarët ose bën marrëveshje politike. LVV-së të parën nuk ia kanë dhënë qytetarët të dytën s’po e don, sepse s’ka bërë asnjë përpjekje për ta arritur atë, andaj përgjegjësia është mbi ata dhe duhet të kërkohet nga ata. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake”.

Ajo ka thënë se LVV-ja duke insistuar vetëm në një kandidaturë për kryetare të Kuvendit dhe duke shpërfillë realitetin parlamentar po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit.

“Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit. Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët. Për çdo ditë që kalon pa institucione funksionale, fatura politike, ekonomike dhe sociale për qytetarët rritet. Kosova meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme”, ka thënë ajo pas ndërprerjes së seancës.