Bajrami: Korrupsioni po vazhdon, vetëm dje katër kontrata njëburimore

Bajrami: Korrupsioni po vazhdon, vetëm dje katër kontrata njëburimore

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se është duke vazhduar korrupsioni në qeverinë Kurti.

Ajo ka shkruar në Facebook se vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. “Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme!”, ka shkruar Bajrami.

Reagimi i plotë:

Vazhdon korrupsioni – vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme!

Dje, dite premte 31 Maj 2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik publikoi katër kontrata njëburimore/kontrata të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë si në vijim:

  1. ⁠Korporata Energjetike e Kosovës: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut, për dy muaj (qershor-korrik 2024), shuma 448,251.13 euro.
  2. Korporata Energjetike e Kosovës: Transport i punëtorëve të KEK-ut, për muajin Qershor-Korrik 2024, shuma 152,884.56 euro.
  3. Punë shtesë Ri-tender/ndërtimi i 11 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 63,725.72 euro.
  4. ⁠Punë shtesë Ri-tender/renovimi i 4 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 18,225.30 euro.

Korrupsioni duhet të ndëshkohet. Në ekonominë e tregut askush s’ka të drejtë që në sektorë ku ka konkurrencë të negociojë kontrata me një kompani. Kjo është në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, respektivisht është keqpërdorim i detyrës zyrtare, dëmtim i buxhetit të shtetit – është KORRUPCION.

Korrupsioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.