Bajrami: Drejtësia të veprojë ndaj uzurpatorëve të posteve qeveritare

Bajrami: Drejtësia të veprojë ndaj uzurpatorëve të posteve qeveritare

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të veprojnë sa më parë ndaj bllokuesve të punëve publike dhe uzurpatorëve të posteve qeveritare lidhur me situatën e krijuar mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për hapjen e sheshit “Xhorxh Bush”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës siç janë Policia e Kosovës, Inspektoratet e të tjera nuk duhet të lejojnë të instrumentalizohen e keqpërdoren nga deputetët e LV-së, të cilët tashmë kanë shkelur betimin e deputetit, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeku dhe ish-ministra të tjerë, tashmë deputetë nuk kanë asnjë autorizim apo autoritet më shumë se deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës. Prandaj askush s’duhet të ju nënshtrohet dhe të përfillë urdhrat dhe kërkesat e tyre, joligjore dhe për interesa të ulëta politike”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka shtuar se LV-ja tash e katër vite përmes pushtetit, nuk ka lënë komunë pa e bllokuar – herë duke ndalur fondet, e herë projektet. “Por ngjarjet e ditëve të fundit, me rastin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, nuk janë vetëm kundër Komunës së Prishtinës, por edhe kundër vetë qytetarëve – një skandal më vete. Bllokuesve dhe uzurpatorëve, të cilët paradite dërgojnë letër se gjithçka është në rregull dhe pasdite përdorin policinë për të ndërprerë punimet, duhet t’u thuhet: mjaft! Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më parë kundër bllokuesve të punëve publike e uzurpatorëve të posteve qeveritare!”, ka shkruar deputetja Bajrami.