Bajrami drejt Skocisë!
Nedim Bajrami pritet të jetë futbollisti më i ri i gjigantëve skocezë të Glasgow Rangers.
Zbritja e Sasuolos në Serinë B ka ndryshuar planet e mesfushorit shqiptar, që ka pasur oferta edhe nga ekipe të tjera italiane, por edhe nga Gjermania, raporton TCh.
Menaxherët e futbollistit 25-vjeçar pothuajse e kanë mbyllur marrëveshjen dhe pritet vetëm zyrtarizimi, ndërsa trajneri i Glasgow Rangers, Filip Klement, ka pohuar në mediat lokale se klubi po negocion me mesfushorin kuqezi.
Në karrierën e tij Bajrami ka luajtur me Sasuolon, Empolin dhe Grasshoper. Ai pritet që të jetë shqiptari i dytë që vesh fanellën e skuadrës skoceze gjatë viteve të fundit, ndërsa në të kaluarën pjesë e këtij klubi ka qenë Eros Grezda.
Sa i përket situatës në kombëtare, mesfushori Klaus Gjasula njoftoi të mërkurën tërheqjen nga përfaqësuesja kuqezi. 34-vjeçari me nofkën “gladiatori” luajti 29 ndeshje me Shqipërinë dhe realizoi 1 gol. Gjasula ishte i fundit nga kuqezinjtë që “përfaqësonte” futbollin gjerman në kombëtare, ndryshe nga e kaluara kur Skela, Lala, Kapllani dhe Fatmir Vata ishin pjesë e Bundesligës.
FSHF e falënderoi Gjasulën për kontributin e dhënë me fanellën kuqezi dhe u kujtua të bënte një status mirënjohjeje edhe për Sokol Cikalleshin, sulmuesin që luajti 63 ndeshje dhe realizoi 13 gola, i cili dy muaj më parë gjithashtu njoftoi largimin nga kombëtarja.
Shqipëria më 7 shtator nis ndeshjet e Ligës së Kombeve duke sfiduar Ukrainën, ndërsa në grup janë edhe Çekia me Gjeorgjinë. Trajneri Silvinjo ka paralajmëruar ndryshime në ekip dhe në modulin e lojës.