Bajrami akuzon Rizvanollin për manipulim: Po thoni se atyre që jetojnë në Gjermani e Zvicër s’iu ngrit çmimi i rrymës
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar sërish pushtetin se po manipulon me statistika. Kësaj here ajo iu drejtua ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për çmimin e energjisë elektrike.
Bajrami tha se ministrja Rizvanolli kur po deklaron se 80 përqind e familjeve në Kosovë i përdor më pak se 800 kilovat energji po i fut edhe banesat e zbrazëta.
“Thatë që mbi 80 përqind e familjeve në Kosovë shfrytëzojnë më pak se 800 kilovat energji elektrike. Ju po i fusni këtu, në këtë 80 përqindëshin edhe të gjitha njësitë e banimit që janë të zbrazëta. Në cenzusin e vitit 2011, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 29 përqind të njësive të banimit kanë qenë të zbrazëta. Këta janë njehsorë në vitin 2011 që iu vjen fatura vetëm 2 euro, sepse ajo që je duke e thënë ti është se njerëzve në Gjermani e Zvicër nuk i është ngritur çmimi. Jo se ata paguajnë atje. Prej 2011-ës deri më sot ka shumë mundësi që 50% të njësive të banimit në regjistrimin që do të bëhet këtë vit do të dalin të zbrazëta. Mos manipuloni me statistika! Jepni përgjigje pse blloqe të tëra të KEK-ut i ke jashtë funksionit. Për shkak se tregtari i energjisë elektrike në këtë vend është Martin Berishaj”, tha Bajrami.
Por, në replikë Rizvanolli e mohoi se në shifrën që e dha ajo janë të përfshira edhe këto njësi banimi.
“Statistikat që i kam cituar janë pas heqjes së konsumatorëve, të cilët nuk kanë pasë konsum gjatë këtyre muajve. Këto janë të dhëna zyrtare që janë marrë nga shpërndarësi i energjisë dhe nga furnizuesi. Nëse ju keni informata të tjera atëherë ju lutem na tregoni burimin ku po i merrni informatat më të sakta sesa këto”, tha ministrja.
Bajrami po ashtu tha se vetëm Vetëvendosje e përmend rritjen e çmimit të rrymës në vitin 2017 meqë atëherë s’e ka përmendur askush.
“Thatë që më 2017 është ngritur çmimi shumicës së qytetarëve – ju rikujtoj se nuk ka qenë çështje asnjëherë çmimi i energjisë elektrike në vitin 2017. Ju jeni ata që e përmendeni, askush asnjëherë s’e ka përmend”.
“Ka qenë e lehtë duke qenë se është shpërndarë prej 20 përqindëshi te 80 përqindëshi”.