Azem Syla shpallet i pafajshëm në rastin ‘Toka’
Pas tetë vjetësh është shpallur aktgjykimi i rastit ‘Toka’. Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, është shpallur i pafajshëm.
Për triumfin në këtë rast ka shkruar në “Facebook” avokati Besnik Berisha, i cili ka thënë se është lumtur që ishte pjesë e fitores së kësaj beteje me z. Syla.
“Triumf si para katër viteve! Këtë foto e patëm realizuar para katër viteve me z. Azem Syla, i njohur si komandant ‘Daja’ përderisa ishim në pauze në bufenë e Dhomave të Specializuara në Hagë, aty ku për tre dite rresht u përballëm me padrejtësinë dhe dolëm te buzëqeshur e fitimtarë. U patëm dakorduar që këtë foto ta postojmë vetëm atëherë kur ta fitojmë edhe betejën tjetër kundër Serbisë, në procesin skandaloz që e filloi EULEX-i kundër tij, me aktakuzën që u gatua në Serbi. Sot edhe këtë beteje e fituam, sot drejtësia triumfoj dhe sot u poqën kushtet që këtë foto ta postojmë. Jam i lumtur që isha pjesë e këtyre betejave në cilësinë e avokatit te z. Syla, i cili, përkundër ofertave që të angazhojë avokat ndërkombëtar, me zgjodhi mua si të vetmin që i besoi! Urime z. Syla dhe familjes së tij!”, ka shkruar avokati Berisha.