Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e vendimeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike (V_2697_2025 dhe V_2698_2025), deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Avokati i Popullit thekson se Vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë.

Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët.

Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike. Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror.

Avokati i Popullit thekson nevojën që organet e pavarura si ZRrE, duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe.