Autoritetet gjermane thonë se “morën informacione vitin e kaluar” për të dyshuarin për sulmin në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane thonë se “morën informacione vitin e kaluar” për të dyshuarin për sulmin në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane thanë se kishin marrë informacione vitin e kaluar për të dyshuarin në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, ndërsa më shumë detaje dolën të dielën për pesë personat e vdekur.

Autoritetet e kanë identifikuar të dyshuarin si një mjek saudit i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte marrë leje qëndrimi të përhershëm.

Policia nuk ka treguar publikisht emrin e të dyshuarit, në përputhje me rregullat e privatësisë, por disa media gjermane e kanë identifikuar atë si Taleb A. dhe kanë raportuar se ai ishte specialist në psikiatri dhe psikoterapi.

Dhe autoritetet thonë se ai nuk i përshtatet profilit të zakonshëm të autorëve të sulmeve ekstremiste.

Ai e përshkroi veten si një ish-mysliman, i cili ishte shumë kritik ndaj Islamit dhe në shumë postime në mediat sociale shprehu mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë anti-emigrant Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Ai po mbahet në paraburgim ndërsa autoritetet po e hetojnë.

“Ky autor veproi në një mënyrë të pabesueshme mizore dhe brutale – si një terrorist islamik, megjithëse ai ishte padyshim një islamofob ideologjikisht”, tha të dielën ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

“Po hetohen pikëpamjet dhe deklaratat e autorit, si dhe këshillat dhe procedurat që u janë dhënë autoriteteve të ndryshme dhe organeve të drejtësisë. Nga kjo duhet të nxirren përfundimet e duhura”.

Ndërsa kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, tha në një intervistë për transmetuesin gjerman ZDF të shtunën se zyra e tij mori një njoftim nga Arabia Saudite në nëntor 2023, gjë që i bëri autoritetet të nisnin “masat e duhura hetimore”.

“Burri gjithashtu publikoi një numër të madh postimesh në internet. Ai ka pasur edhe kontakte me autoritete të ndryshme, ka bërë ofendime, madje edhe kërcënime. Megjithatë, ai nuk dihej se kishte kryer akte dhune”, tha Münch, zyra e të cilit është ekuivalenti gjerman i FBI-së.